Arjan Ymeri, Drejtor i Startup-eve, ishte i ftuar në emisionin “Money Report” në ABC News, ku foli mbi zhvillimin e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri dhe prioritetet kryesore të mbështetjes financiare.
Ai theksoi se synimi kryesor është rritja e nismave, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, si sektorë me ndikim të lartë në zhvillimin ekonomik. Sipas Ymerit, gjatë dy viteve të fundit janë vënë në dispozicion rreth 6 milionë euro, të cilat kanë mbështetur financiarisht 177 startup-e, ndërsa interesimi nga kompanitë private dhe fondet e Bashkimit Europian vijon të rritet.
Ai nënvizoi gjithashtu se startup-et, për shkak të riskut të lartë, nuk financohen nga bankat, ndaj mbështetja shtetërore dhe ajo europiane, përfshirë ekonominë e gjelbër, mbetet thelbësore, me një buxhet prej 300 milionë lekësh të parashikuar nga shteti.
“Synimi ynë është që të rrisin nismat kryesisht në teknologji. Ne sapo publikuam në nëntor një raport të ndërtuar nga një kompani konsulentë në Evropë. Në dy vjet ne kemi një buxhet rreth 6 milionë euro, që kanë shkuar në financimin e 177 startup. Startup-et në përgjithësi kanë një fokus horizontal që kanë role të ndryshme, por ne si agjenci u kushtojmë vëmendje edhe prioriteteve të qeverisë, si në teknologji, turizëm dhe në Inteligjencës Artificiale.
Ekosistemi i startup-ve zhvillohet më shumë nga teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale. Financimi mund të jetë privat nga individë, kompani dhe financim shtetëror. Ka një interes të shtuar, kompanitë janë të interesuara. Startup-et nuk e kanë mundësinë që të financohen nga bankat, sepse janë shumë me risk. Fondet e Bashkimit Europian do të jenë në vijim. Një nga kërkesat që vjen nga plani i rritjes është ekonomia e gjelbër. Këto startup-e lidhen edhe me fondet e BE. Nga buxheti i shtetit është parashikuaj një vlerë prej 300 milionë lekësh”, tha Ymeri./abcnews.al

