Vogëlushi 10-vjeçar, Santi Vata, ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Tërmeti që goditi vendin tonë, fatkeqësisht e la të lënduar si dhe dëmtoi rëndë edhe shtëpinë e tij. Një surprizë për të ishte vizita që FSHF organizoi për këtë tifoz të vogël e të zjarrtë të kombëtares, shkruan FSHF në sajtin zyrtar.
Futbollistët e Kombëtares sonë Bekim Balaj dhe Odise Roshi erdhën posaçërisht në Tiranë për të takuar Santin dhe për t’ju gjendur pranë në këtë moment të vështirë, vijon shkrimi, ndërkohë që dy lojtarët e kombëtares i kanë dhuruar tifozit të vogël një fanellë të kombëtares me emrin e tij dhe me numrin 10, të firmosur, si dhe një top. Balaj dhe Roshi i kanë dhënë kurajë dhe forcë Santit.
Gjithashtu dhe i kanë premtuar se do ta marrin në “Air Albania Stadium”, në një nga ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses sonë. “Jemi përfshirë në mënyrë aktive që nga dita e parë, si futbollistë të kombëtares, së bashku edhe më shumë familjarë, miq por edhe kolegët tanë futbollistë të kombësive të ndryshme në klubet ku jemi angazhuar, që të ndihmojmë në këtë fatkeqësi” shprehet Balaj.
“Dëshira është për të ndihmuar sadopak njerëzit tanë në këtë moment të vështirë. Fëmijët janë më të rëndësishmit për ne. Jam i prekur, sepse sot takuam Santin, këtë vogëlush-tifoz të zjarrtë të kombëtares. Do ndihesha shumë i lumtur nëse kemi mundur të sjellim sadopak kënaqësi e buzëqeshje te Santi”, shtoi Roshi. /abcnews.al