Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë i ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu.
Urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive, duke e mbajtur Spahiun më shumë se pesë muaj në paraburgim.
Prokuroria Serbe e cilësoj si të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Ai u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, teksa ishte me familjen duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.
Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.
“Spahiu është mbajtur pa arsyetim kaq gjatë, sepse nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë. Ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës në atë kohë”, ka sqaruar avokati.
Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh sulmoj Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Millan Radoiçiq – nënkryetar i Listës Serbe në kohën e kryerjes së sulmit – e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerjen e sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë. Pasi është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, Radoiçiq është liruar, por me një ndalesë për udhëtim, ndërsa në Kosovë po zhvillohet gjyqi për tre nga 45 të pandehurit për rastin në Banjskë.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar vazhdimisht dorëzimin e Radoiçiç për ta gjykuar për kryerjen e sulmit, të cilin Kosova e pati shpallur akt terrorist./abcnews.al

