Këtë të hënë shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë.
E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Në një intervistë në “News Line” në ABC News pedagogia Arsjeda Gjyli foli për rëndësinë e kësaj dite dhe Lëvizjen e Studentëve të Dhjetorit.
Gjatë intervistës, Gjyli tha se Shqipëria për 45 vite ishte nën represion dhe se Lëvizja e Dhjetorit shënoi një moment historik për Shqipërinë, në rrëzimin e komunizmit.
Ndërsa tha se opozita ka treguar deri tani se është ende me mendësi të vjetra dhe se e mendon dhe përdor politikën vetëm për pushtet.
“Kemi pasur të injektuar dhe të vendosur me ligj heqjen e të drejtës së besimit. Për 45 vite ishin në represion. Këta të rinj erdhën me vullnetin dëshirën dhe ndjenjën revolucionare. Ishte një ideal shumë i rrallë, por shënjoi një moment historik për Shqipërinë të rrëzimit të një sistemi komunist. Por askush nga ata të rinj, me sloganin e njohur “E duam Shqipërinë si gjithë urvopa”, nuk e kishin menduar se kjo do të kërkonte kaq shumë kohë”, u shpreh ajo.
Më tej gjatë intervistës, Gjyli u shpreh se sot është e qartë që Shqipëria dhe procesi i negociatave po ecin me ritme të shpejta.
“Ne si shqiptarë jemi sa pro amerikanë dhe pro europianë. Patjetër kemi sfidat tona, por sot ajo që është realizuar në Shqipëri është në njëfarë mënyrë, “ëndrra e dhjetorit” që donin të ndërtonin atë rrugën magjike që në do të na çonte drejt Europës”, tha Gjyli.
Gjithashtu tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të nxiten të jenë më shumë të përfshirë, dhe të kuptojnë rolin e tyre. Duhet që të rinjtë të kuptojnë rolin e tyre. Duhet të punosh të luftosh për t’i marrë dhe arritur gjërat dhe ajo që 8 dhjetori në na frymëzon. Por nuk duhet të jemi me konceptin, të rrënojmë për të ndërtuar. Integrimi në BE shkon përtej politikës. Dhe nuk duhet të jemi anti-kombëtare. Dhe ndaj sot studentë dhjetori kanë thënë që sot ndoshta opozita nuk i përfaqëson, por idetë që kishin. Sa janë realizuar sa jo, por jemi akoma në situatën që opozita është me mendësitë e vjetra”, tha ndër të tjera Gjyli.

