SHQIPËRI– Dashuria e madhe që kishte për biçikletën e shtyu Artan Salliun, që riparimin e tyre ta bënte edhe profesionalisht. 52-vjeçari nga Elbasani tregon se zanatin e nisi që fëmijë, në kohën kur nga Tirana në Durrës shkonin për plazh me biçikletë dhe çdo defekt e riparonin vetë me mjete rrethanore.
“Zakonisht në kohën e Enverit, unë kam qenë i vogël, nga Tirana në Durrës për plazh shkonim me biçikletë. Dhe gjithmonë nga mbrapa merrnim më të rritur, dhe kur na u prishnin biçikletat i rregullonim vetë. Nga këtu më lindi edhe pasioni që të merresha me biçikleta”.
Artani ka më shumë se tre dekada që jetën ia ka kushtuar këtij zanati në kryeqytet. Edhe pse shprehet i kënaqur me fitimet e muajit që nxjerr, ai thotë se hyrja e biçikletave elektrike dhe e skuterave ka ndikuar në rënien e xhiros. Megjithatë, gjatë verës fluksi mbetet më i lartë, kjo për shkak të përdorimit më të madh.
“Vjen pa lek, ikën me lek. Zanat që s’të lë pa bukë. Bos nuk bëhesh asnjëherë. Kam 30 vite që merrem me këtë. Derisa të kem këmbë e duar do punoj”.
“Futja e biçikletave elektrike apo skuterave ka rënë numri, por varet edhe nga sezoni. Vera ka më shumë se përdorimi është më i madh”.
Sipas mjeshtrit të biçikletave, ky zanat është drejt zhdukjes, pasi të rinjtë nuk tregojnë interes për ta mësuar, ndryshe nga çfarë ndodhte vite më parë.
“Janë këto të rinjtë, që çdo gjë e duan me anë të telefonit. Zero interes. Nuk mund ta marr nga rruga për t’ja mësuar… Nuk vijnë të interesohen për të parë e të mësojnë. Më parë ka pasur plot që vinin 12-13 vjeç me mësuar. Tani i shes me kokrra.”
Në çdo rast, Artani e ka gjetur pasardhësin e zanatit brenda familjes. Djalin e ka futur në punë që në moshën 10-vjeçare dhe sot ai di pothuajse gjithçka. Mjeshtri thotë se kur të mos jetë më vetë, është djali ai që do ta zëvendësojë.
“Patjetër. Djalin e kam marrë që 10 vjeç me vete në punë. Djali i ka gati, e ka mësuar duke më parë mua. Një ditë nëse s’jam unë e hap ai qepenin. Dyqani nuk ka me u mbyll asnjëherë”./abcnews.al

