Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për 27 të pandehur dhe i ka dërguar për gjykim.
Mes tyre janë edhe personazhe të njohura të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Endrit Dokle dhe Arian Tuku. Ndërkaq, për gjykim është dërguar edhe ish efektivi i RENEA-s, Altin Morina.
Sipas hetimeve, Morina, në kohën kur ishte efektiv i RENEA-s, i jepte informacione Durim Bamit dhe shmangte kontrolle për parcelat me drogë, që Bami kishte në Fushë Krujë.
I pandehuri Durim Bami ka organizuar, drejtuar dhe financuar një grup të strukturuar kriminal, të destinuar në kultivimin e bimëve narkotike kanabis sativa, në fshatin Nikël, Fushë-Krujë gjatë periudhës kohore, dhjetor 2019-korrik 2020, si dhe në zonën e Njësisë Administrative Bubq, të Bashkisë Krujë, si para ashtu dhe gjatë muajit shtator 2020, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Ai ndihmohej në veprimet e tij të kundraligjshme nga punonjës të policisë së shtetit, si i pandehuri Altin Morina dhe shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët jepnin informacione, apo ndihmonin në shmangien e kontrolleve të parcelave të mbjella me bimë narkotike.
Më 3.4.2025, të pandehurit, Altin Morina, i shpallur person në kërkim, në automjetin e tij iu gjetën dhe sekuestruan nga punonjësit e policisë së Komisariatit të Policisë Nr.2, Tiranë, një armë zjarri pistoletë model BERRETA PX4, kalibër 9x21mm, prodhim italian, me numër “PJ07009”. Arma, e cila mbahej pa leje, ishte e rregullt teknikisht dhe e përshtatshme për qitje, me një fishek në folenë e fishekut, si dhe 9 (nëntë) fishekë të tjerë në krëhërin e saj.”, thuhet në njoftimin e SPAK./abcnews.al

