Spitali i Durrësit ka reaguar në lidhje me vdekjen e 15 vjeçarit që u qëllua 4 herë me thikë nga bashkëmoshatari i tij më 25 nëntor.
Në deklaratën e spitalit thuhet se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Spitali thekson se komplikacionet e zhvilluara më pas, janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në deklaratë thuhet se pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë ndërhyrjes së pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.

