Ekspertja e gjeopolitikës, Juxhina Sotiri ka analizuar për “War Report” zhvillimet e fundit rreth konfliktit Rusi–Ukrainë, duke theksuar se dinamika aktuale po tregon një rritje të tensioneve dhe një reduktim të shpresave për një marrëveshje të shpejtë paqeje.
Sipas saj, pozicionimet e reja të aktorëve kryesorë – veçanërisht SHBA-së, Rusisë dhe vendeve të BE-së – po ndikojnë drejtpërdrejt në terren, ndërsa raundet e fundit të negociatave kanë rezultuar të pasuksesshme. Sotiri vlerëson se situata është bërë edhe më komplekse nga mënyra se si Moska po e shfrytëzon kohën si avantazh strategjik, ndërkohë që Perëndimi po shton ndihmat financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
“Duket sikur Trump është më pranë marrëveshjes së paqes. Duhet të analizohet se si po e përdor Putini kohën si një prej avantazheve më të rëndësishme. E kemi parë edhe në takimin në Alaska dhe para disa ditësh, agresioni rus ka qenë më i fortë kundër Ukrainës. Nga ana tjetër, ka një besim të tepruar se do të arrijë objektivat e tij dhe do të dalë i respektuar në sytë e botës.
Ky konflikt do të vazhdojë i tillë edhe për disa muaj. Edhe ky raund i negociatave ishte një nul dhe janë bisedime të dështuara për sa kohë Putini nuk dorëzohet. Ka një aspekt pozitiv nga ajo që dëgjuam mbrëmë, ku është shumëfishuar ndihma financiare dhe do të ketë blerje më të mëdha nga SHBA që do të shkojnë në Ukrainë. Nga ana e BE-së, është zotuar ulja e varësisë nga gazi rus dhe dje u shpall zotimi që deri në vitin 2027 kjo gjë të përmbyllet.” / abcnews.al /

