Edhe pse hapësira ajrore e Venezuelës konsiderohet e mbyllur, kjo nuk i ka ndalur deportimet e emigrantëve nga Shtetet e Bashkuara. Një avion me 266 emigrantë venezuelianë mbërriti në aeroportin Simon Bolivar në Karakas të mërkurën vonë.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës tha se qeveria amerikane bëri një kërkesë për të kaluar hapësirën ajrore dhe për të ulur avionin në aeroportin ndërkombëtar të vendit.
Kjo erdhi disa ditë pasi Donald Trump tha se hapësira ajrore mbi Venezuelë duhet të konsiderohet plotësisht e mbyllur. Shumë linja ajrore kishin pezulluar tashmë operacionet e tyre në vendin e Amerikës Latine për shkak të situatës së sigurisë dhe tensioneve në rritje.
Pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme muajt e fundit, Uashingtoni dhe Karakasi kishin rënë dakord që në mars për fluturimet e kthimit për emigrantët e deportuar.
Mbërritjet kanë qenë të shpeshta, ndonjëherë edhe disa në ditë dhe nuk janë ndalur as nga mbyllja e hapësirës ajrore.
Ndërkohë presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro foli për herë të parë në lidhje me telefonatën me homologun amerikan Donald Trump. Edhe pse mediat ndërkombëtare raportuan se Trump i kërkoi Maduros largimin e menjëhershëm nga vendi, presidenti i Venezuelës tha se biseda ishte me respekt dhe e përzemërt. Ai bëri thirrje për dialog dhe diplomaci, duke theksuar se Venezuela do të kërkojë gjithmonë paqe.

