Eksperti i gjeopolitikës, Ledjon Krisafi, ka komentuar për ‘War Report’ zhvillimet më të fundit në luftën Rusi–Ukrainë, duke theksuar se aktualisht nuk ekziston asnjë perspektivë reale për arritjen e një marrëveshjeje paqësore.
Sipas tij, qëndrimet ekstreme të të dyja palëve, mungesa e gatishmërisë për kompromis dhe roli joefektiv i SHBA-së si ndërmjetëse, e mbajnë konfliktin të bllokuar dhe e shtyjnë drejt një lufte të zgjatur në vendnumëro.
“Faji është i të gjithëve. Ukrainasit dukeshin qartë se nuk ishin të gatshëm të jepnin territor. Ka një pjesë shumë të fortë nacionalizmi në Ukrainë që nuk pranon të lëshojë asnjë territor. Nga ana tjetër, rusët janë të bindur se po fitojnë luftën dhe duan të arrijnë maksimumin e tyre. Rusia nuk ka ndërmend të bëjë asnjë marrëveshje. Rusët janë të gatshëm të vazhdojnë luftën dhe ta zgjidhin konfliktin në terren. Ose lufta do të mbetet në vendnumëro, dhe kjo mund të krijojë hapësirë për një marrëveshje.
Amerikanët nuk po e kryejnë rolin e tyre si ndërmjetës. Deklarata e vitit ishte se Ukraina nuk ka humbur, por fronti i luftës është në drejtimin e gabuar. Të dyja palët mendojnë se mund ta fitojnë luftën dhe, për pasojë, nuk ka asnjë shans që të arrihet një marrëveshje.” / abcnews.al /

