Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Medlir Mema, në emisionin “Real Story”, deklaroi se zhvillimet e konfliktit në Ukrainë do të kishin marrë një drejtim tjetër nëse Europa nuk do të ishte përfshirë kaq thellë në proces. Mema theksoi se nuk mund të ketë paqe pa garancitë e Europës, por njëkohësisht e akuzoi atë se ka ndikuar në zgjatjen e konfliktit përmes politikave energjetike dhe sanksioneve.
Sipas tij, Rusia nuk është më një superfuqi, por “një shtet me fuqi të mesme që mund të zhvillojë një luftë të zgjatur vetëm me Ukrainën, pa pasur aftësi të kërcënojë drejtpërdrejt vendet e Europës që janë pjesë e NATO-s”.
Eksperti nënvizoi gjithashtu se zgjerimi i NATO-s nuk ka qenë një kërkesë e Europës, por e Shteteve të Bashkuara.
“Ky konflikt do të shkonte në një drejtim tjetër nëse Europa nuk do të ishte e përfshirë. Gjatë administratës së Biden, SHBA dhe Europa kishin të njëjtën pozitë. Europa nuk është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur çdo gjë në kurriz të saj. Nuk mund të kesh paqe pa garancitë e Europës. Europa e ka nxitur dhe e ka zgjatur konfliktin përmes politikave energjetike.
Deri tani ka qenë me një qëndrim parandalues ndaj Rusisë, ndërsa tani ka nisur luftën e sanksioneve. Europa nuk është faktor i mjaftueshëm dhe determinues në rajon. Rusia nuk është superfuqi; është një vend me fuqi të mesme që mund të bëjë një luftë të gjatë me Ukrainën, por nuk mund të kërcënojë drejtpërdrejt vendet e Europës që janë pjesë e NATO-s. Për herë të parë, i duhet të jetë partneri më i vogël në raport me Kinën.
Europa ka përgjegjësi, edhe për shkak të politikës së Gjermanisë, e cila është e bazuar në parime liberale sipas të cilave sa më shumë varësi të kesh, aq më shumë e sjell Rusinë në sferën e influencës ku kryefjalë është tregtia. Gjermania ka humbur në këtë.
Kur vjen puna për luftën, nuk ishte Europa ajo që këmbënguli në zgjerimin e NATO-s, por SHBA. Janë në përgjegjësinë e Europës faktet që zgjatën konfliktin, duke i kërkuar Ukrainës disa kërkesa që nuk mund t’i realizonte. Ndërkohë, Biden nuk dha avionë për më shumë se një vit dhe nuk e ndihmoi mjaftueshëm as në mbrojtje.” / abcnews.al/

