Kanë kaluar 27 vjet. Në këtë Arenë sportive në Sarajevë me emrin “Skenderija” këndoi atëherë Gjorgje Balasheviç, këngëtari i parë serb që shkeli në kryeqytetin boshnjak që nga përfundimi i luftës në 1995.
I pritur si hero dhe si një bir i dashur, motivi i koncertit të artistit të ndjerë ishte “që luftë të mos ketë më”. Luftë nuk ka, por ndeshja e mbrëmjes së fundit mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë në Arenën “Skenderija” për eliminatoret e Kampionatit Botëror në basketboll për meshkuj tregoi se paqëtimi që ëndërronte Balasheviç ende është larg.
Vërshëllimat dhe sharjet nga publiku vendas e ndoqën skuadrën serbe sapo hyri në fushë. Më pas, gjatë ekzekutimit të himneve, vështirë të dëgjohej ai i Serbisë për shkak të zhurmës dhe ofendimit të ultrasve në tribunën kryesore, me fjalë që nuk mund të shkruhen apo të thuhen.
Njeriu kryesor i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, e shfrytëzoi rastin, si çdo politikan i cilitdo vendi, për të përgjithësuar, dhe e cilësoi këtë si vërtetim se Sarajeva si qytet nuk dëshiron të jetojë me serbët.
Një gazetar boshnjak, i të përditshmes “Dnevni Avaz” e pyeti pas ndeshjes trajnerin e Bosnjës, kroatin Dario Gjergja, se mos ndoshta Federata e Basketbollit e Bosnjës, apo autoritetet shtetërore I detyrohen Serbisë një kërkesë faljeje për këtë që ndodhi.
Gjergja u përgjigj se në tribuna pati edhe përqafime, se nuk mund të përgjithësohet, por shtoi se ky është realiteti, se kjo do të zgjasë në kohë, por që detyra e tij është që t’i kanalizojë gjërat në drejtimin e duhur.
Përsa i përket ndeshjes, ajo ishte shumë e fortë, ndonëse të dyja skuadrat ishin pa yjet kryesorë që luajnë në NBA apo Euroligë. Serbia fitoi në fund 74-72, ndonëse boshnjakët kryesuan gjatë gjithë kohës, dhe tani mban vendin e dytë në grup pas Turqisë./abcnews.al

