Në Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin e flamurit dhe të krenarisë shqiptare, dy histori të veçanta u bënë simbol i emocioneve të një kombi: një muzikant që preku zemrat e qindra kalimtarëve në Gjermani me meloditë shqiptare, dhe një sipërmarrës nga Dibra që ngjiti 47 metra lartësi për të valëvitur flamurin kuqezi.
Pianisti që “foli” shqip në zemër të Mynihut
Në një nga sheshet më të frekuentuara të Mynihut, mes turistëve dhe kalimtarëve të zhurmshëm, u dëgjua papritur një melodi shqiptare që i bëri të gjithë të ndaleshin. Pas pianos publike, që ai e gjen shpesh rastësisht në shesh, qëndronte muzikanti nga Kosova, Azem Haziri.“Piano nuk ishte e imja, e kam parë shpesh aty… atë ditë thjesht më lindi dëshira të interpretoj muzikë shqip,” rrëfen ai në lidhje direkte me ABC e Mëngjesit. Dhe ashtu ndodhi. Tingujt u përhapën sheshit, duartrokitjet nuk munguan, ndërsa emocionet e tij u shumëfishuan kur pa kalimtarët teksa dëgjonin me vëmendje.
Pak kohë më parë, ai “shkundi” Hagen-in me një performancë krejt të veçantë përballë Gjykatës së Hagës, aty ku shqiptarët protestonin për drejtësi. Melodia e Marshit të UÇK-së u bë jehonë e asaj që ai e quan “protestë pa fjalë, por me muzikë”.
“Mendova të jem me protestuesit, por duke protestuar me muzikë. Ishte vendi i duhur, momenti i duhur,” – thotë Haziri.
Dibrani që ngriti flamurin në 47 metra lartësi
Nga sheshi i Mynihut, historia e dytë na çon në Bubq të Shqipërisë, ku sipërmarrësi Shkëlzen Bushi u bë lajm për aktin e tij të guximshëm e simbolik. Ai u ngjit në një shtyllë tensioni 47 metra të lartë dhe vendosi në majë flamurin kuqezi.
“Kjo është puna ime, ngjitem çdo ditë… por ditën e flamurit nuk mund të rrija pa e respektuar,” – tregoi Bushi në intervistë.
Në atë moment, adrenalina, profesioni dhe atdhedashuria u bënë një. “Isha duke punuar dhe thashë me vete: pse mos të bëj diçka të veçantë sot? E bëra gjithë zemër.”
Por surprizat nuk mbarojnë këtu: përveç sipërmarrës, ai është edhe aktor. Ka marrë pjesë në disa filma shqiptarë me role episodike, ndërsa aktualisht është pjesë e një xhirimi të ri ku protagonistë janë një këngëtar dhe një aktor shumë i njohur. “Kam marrë pjesë në disa filma dhe më pëlqen kjo punë… sot jam përsëri në xhirime,” – tha ai.

