PS dhe Meta do përballen në Komisionin e Venecias për emërimet në Kushtetuese

schedule14:02 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 14:02 - 20 Dhjetor, 2019

Iniciativa e mazhorancës për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta pas vendimmarrjes së tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit jo vetëm që nuk do të japë rezultate të shpejta por do të kërkojë sërish ekspertizë ndërkombëtare të specializuar. Përfaqësuesit socialistë në komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës kërkuan që objekti i hetimit për Ilir Metën të zgjerohet pas shkeljeve që ky i fundit ka konsumuar me emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Dhe për këtë çështje në ndihmë do të thirret sërish Komisioni i Venecias. “Komisionit të Venecias i drejtohemi për një ekspertizë të kualifikuar”, tha Ulsi Manja. Socialistët kanë gati edhe 5 pyetjet që nën firmën e kryeparlamentarit Ruçi do t’i kërkohet mendim juristëve të Venecias. Për deputetin Spartak Braho me rëndësi është që Komisioni i Venecias të përcaktoj nëse shkeljet janë aq të rënda sa të nxisin Kuvendin drejtë shkarkimit të Ilir Metës. Por Kuvendi i Shqipërisë nuk do të jetë institucioni i vetëm që do t’i drejtohet për këtë çështje Komisionit të Venecias.

Presidenca përmes zëdhënësit të saj, Tedi Blushi njoftoi se edhe kreu i shtetit do te kërkojë ekspertizën e Venecias. “Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese” Opozita votoi kundër vendimit të socialistëve për të zgjeruar objektin e hetimit dhe dërgimin e çështjes për herë të dytë në Venecia.

Në cilësinë e dëshmitarit Kuvendi do të thërrasë për të treguar rrugën procedurale që është ndjekur me anëtarët e rinj të Kushtetueses edhe kreun e KED. Edhe për këtë vendimmarrje Presidenca shprehu rezerva të forta duke akuzuar përfaqësuesit e shumicës për marrje në mbrojte të kreut të KED-së, Ardjan Dvorani. Sipas presidencës “solidariteti” i shumicës vërteton se krimet e Dvorani janë kryer në bashkëpunim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!