Në një lidhe direkte për “ABC e Mëngjesit”, Normana Beqiri, menaxhere marketingu dhe mbesa e inxhinierit të pushkatuar të Maliqit, sjell në dritë një prej kapitujve më të errët të historisë sonë. Janë 79 vite nga dita kur regjimi ekzekutoi “sabotorët” e Maliqit, ndër ta dhe Kujtim Beqirin, të cilit as trupin nuk ia gjeti kurrë askush.
“22 nëntori ka qenë gjithmonë dita më e errët për ne”, rrëfen Normana. “Babai im e quante ‘ditën e plagës’. Atë ditë ai mbeti vetëm 2 vjeç, ndërsa halla 8. Gjyshja ime u bë e ve në moshën 26-vjeçare.”
Ajo grua e re, shenjë e heshtur tragjedie, nuk veshi më kurrë rroba me ngjyra. Nuk pranoi të dilte në fotografi. E vetmja foto e saj mbeti ajo e dasmës me Kujtimin, pak vite para se ta varnin.
Kush ishte Kujtim Beqiri?
Një inxhinier i diplomuar me medalje ari në Universitetin e Vjenës, ku madje iu ofrua punë. Por ai zgjodhi të kthehej në atdhe. “Endërronte të rimëkëmbte Shqipërinë e prapambetur”, tregon Normana. Bir i një familjeje të njohur atdhetare, me gjyshër që kishin luftuar krah Ismail Qemalit dhe në betejat e Vlorës, ai investoi dijen e tij në gjeodezi moderne. Nën kujdesin e tij u ndërtuan dy ura simbol të bashkimit të dëshiruar të Kosovës me Shqipërinë.
Në operacionin e tharjes së kënetës së Maliqit, një sipërmarrje kolosale për kohën, ai u akuzua si “sabotor”. Kujtimi kishte qenë kundër tharjes, jo nga bindja politike, por nga profesionalizmi. Dhe kjo i kushtoi jetën.
E dënuan me varje. Dhe e varën… dy herë.
Rrëfimi është i tmerrshëm. “Pas varjes së parë, gjyshi ishte ende gjallë… përpëlitej”, thotë mbesa. “Komunistët e zbritën trupin dhe e kryen ekzekutimin edhe një herë.” Një mizori përtej çdo imagjinate njerëzore. Një varje e dytë… që duhej të siguronte vdekjen. Dhe heshtjen.
Në atë kohë familjes i thanë: “I kemi hedhur në gropën e stadiumit të Maliqit, si kafshë.” I ati i Normanës, gjithë jetën kërkoi eshtrat e të atit. Pa rezultat. Ajo që mori ishte vetëm një grusht dhe, të cilin e vendosi në një varr ku më pas u bashkua dhe nëna e tij, gruaja që e priti të vinte, por që s’e pa kurrë më.
Letra që Kujtimi shkroi dy ditë para vdekjes mbërriti tek familja vetëm në 2007. “E kemi lexuar, por gjyshja ime nuk arriti. I kërkonte falje që po e linte në mjerim… dhe i dërgonte një unazë. Unaza nuk mbërriti kurrë.”
Kur Kujtim Beqiri u nderua “Nder i Kombit”, ishte dita më e lumtur e të birit. Një dritë e vogël drejtësie në një histori të rëndë. “Fatkeqësisht ndërroi jetë nga Alzheimer, por një pjesë të amanetit e çoi në fund,” – tregon Normana.
Inxhinieri që e varën dy herë…Historia e Kujtim Beqirit, 79 vite dhimbje
schedule12:49 - 25 Nëntor, 2025
schedule 12:49 - 25 Nëntor, 2025
