TIRANË- Edi Rama e nisi Podcastin e kësaj të diele me një video kolazh nga hapja e grupkapitullit të fundit të negociatave, që shënoi një moment historik për procesin e integrimit, çeljen e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian në një kohë rekord prej 12 muajsh.
“Është vërtet mbresëlënëse sesa shpejt po jepni rezultate. Gjithçka mund të them është vazhdoni kështu dhe do të jeni pjesë e BE me shpejt sesa vonë”, tha Marie Bjerre, ministre e Jashtme e Danimarkës
“Sot tregon që BE ofron rezultate dhe mund të mbështetemi tek Shqipëria në të ardhmen. Suksesi i Shqipërisë është rezultat I punës së autoriteteve shqiptare me shoqërinë civile dhe aktore të tjerë për zbatimin e reformave të rëndësishme për BE-në”, theksoi Marta Kos, komisionere për zgjerimin.
Nga Brukseli ka sinjale pozitive që brenda 2030 Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka shpallur integrimin prioritet të mandatit të katërt qeverisës. Ndaj thotë se nëse do të ketë dicka për të cilën nuk do jetë kritik por i kënaqur me punën e bërë do jetë pikërisht ulja në tryezën e BE-së.
“Vuaj nga pakënaqësia. Nëse në distancë unë dukem si dikush që mendon se i di të gjitha, në fakt unë vuaj nga pakënaqësia. I shoh me një ndjenjë pakënaqësie ndaj vetes, sepse në çdo gjë mendoj se mund t’i kisha bërë gjërat më mire. Nëse do të ketë një gjë me të cilën do jem i kënaqur pa kushte, besoj do arrij ta shoh momentin e hyrjes në Bashkimin Europian, sepse ajo është një gjë epokale, historike, e jashtëzakonshme”, tha ai.
Ambicie kjo që fton të mos dorëzohet por të luftojë.
“Ka momente kur i ngre vetes pyetjen se përse duhet të vazhdoj të luftoj? Por unë kam gjithmonë një zë që me vjen në ndihmë në përgjigje të kësaj pyetjeje. Është zëri I personazhit të Kazakisit kur flet me kapitenin kur janë në anije dhe po i afrohen një porti, dhe ai I thotë, ja kështu është jeta, si një anije që fund ndalon në një liman dhe ai liman është vdekja dhe ky I thotë që nëse është kështu, pse duhet të luftojmë. Ai i thotë; mos pyet lufto; kur vjen pyetje pse unë them është pyetja problem nuk është arsyeja pse ngrihet pyetja?”
Në podcastin e kësaj të diele, ku të ftuar kishte sopranon Ana Naqo dhe pedagogen Natasha Shuteriqi, Rama iu rikthye edhe problemeve që po has shqipja, ndërsa njoftoi shkrimin e librit të tij të radhës.
“Po përgatis tani një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër dhe për natyrisht dëshirën që t’i shoh në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë dëshirë”, tha ai./abcnews.al


