Kur mbeten afërsisht edhe 200 ditë nga nisja e “Botërorit 2026”, promovimi i truneut më të madh të futbollit ka nisur me një “gafë” nga FIFA.
Në posterin e publikuar nga qeveria botërore e futbollit, pas mbylljes së eliminatoreve kishte një harresë dhe jo një dosido, por Cristiano Ronaldo.
Në llogaritë e saj zyrtare, FIFA ndau një grafikë që përshkruante lojtarët më të mirë nga ekipet që u kualifikuan direkt për Kupën e Botës 2026.
Posteri paraqiste Lionel Messin duke përfaqësuar Argjentinën, Kylian Mbappé për Francën, Harry Kane për Anglinë dhe Erling Haaland për Norvegjinë, sa për të përmendur disa. Megjithatë, fytyra e zgjedhur për Portugalinë nuk ishte CR7, siç prisnin të gjithë, por Bruno Fernandes. Për këtë, tifozë të panumërt – jo vetëm portugezë, por nga e gjithë bota – nisën një breshëri kritikash në seksionin e komenteve të postimit në rrjetet sociale.
Presioni dhe pakënaqësia nuk kaluan pa u vënë re nga FIFA, e cila zgjodhi ta hiqte posterin nga llogaritë e saj pa dhënë një arsye.
Qeveria botërore e futbollit publikoi një foto të re. Këtë herë, imazhi u korrigjua dhe Cristiano Ronaldo ishte mes yjeve të tjerë, duke i dhënë fund, të paktën grafikisht polemikave të para që lidhen me “Botërorin 2026”.

