TIRANË- Kombëtarja shqiptare siguroi për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të një Kampionati Botëror.
Pas triumfit 0-1 në transfertën e Andorrës, kuqezinjtë do të zbresin të dielën në fushë për përballjen me Anglinë, një sfidë kjo, e cila luhet në orën 18:00 në “Arenën Kombëtare”.
Trajneri i Kombëtares Sylvinho dhe kapiteni i ekipit Berat Gjimshiti dolën në konferencë për shtyp për të folur për këtë sfidë prestigji. Ata e konsideruan sfidën të vështirë, por shtuan se do bëjnë maksimumin për të shënuar, dhe pse jo, për t’i ndëshkuar “Tre Luanët”.
Tekniku kuqezi theksoi se Anglia mbetet një prej ekipeve favorite për të fituar Botërorin, por megjithatë ai tha se ka besim te lojtarët se do bëjnë një paraqitje dinjitoze, të dielën në mbrëmje në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Gjatë konferencës, Sylvinho u pyet nga gazetarët edhe për çështjen e Armando Brojës, i cili u shfaq i mërzitur pas ndërrimit me Andorrën. Ai tha se ka biseduar vetë me lojtarin dhe “problemi” tashmë konsiderohet i tejkaluar.
/abcnews.al

