Sali Berisha refuzon të dëshmojë në SPAK ditën e premte për herë të parë për “21 Janarin”. Ish-kryeministri gjeti një arsye, për të mos dëshmuar për 4 të vrarët në bulevard në kohën kur drejtonte qeverinë.
“Nuk mund të ketë pyetje a do i përgjigjem. Por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrjen. Pra, edhe njëherë, se ti je gazetar; vendimi, njoftimi duhet të vijë siç kanë ardhur me dhjetëra njoftim të tjera dhe unë i jam përgjigjur çdo njoftimi që ka ardhur. Kurse përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, një shërbëtor, një mercenar i regjimit të Edi Ramës, që kujton se mund të mbulojë sado pak me zhurma të tilla, krimet e shëmtuara të Ramës”
Por sipas dokumentit të SPAK, fletëthirrja është nisur me postë prej datës 3 nëntor në banesën e Berishës. Doktori tani nuk kishte më arsye, e tradhtuan dhe nervat.
“Edhe njëherë po lexoni të pavërteta. Banesa ime, në banesën time kanë ardhur me qindra letra, njoftime dhe të tjerë. Që të gjitha i marrin dhe i dorëzojnë. Midis të tjerash edhe nga gjykata, të gjitha njoftimet.
Midis tjerash për dijeni tuaj, ka patur raste që i kanë dërguar edhe me motoçiklete. Prandaj të lutem mos përsërit mashtrime ordinere të njerëzve të cilët janë të angazhuar në propagandë, nuk të takon ty kjo.”
Berisha në fund e pranoi se “21 Janari” është i pahetuar, por jo për qeverinë po për Edi Ramën. Ish-kryeministri i “21 Janarit”, së paku në një pike nuk ka ndryshuar qëndrim. Për të Ina Rama mbetet një lavire bulevardi.
“Çështja e 21 Janarit është hetuar njëherë nga një armike e egër e Sali Berishës dhe PD-së, një njeri për të cilin unë kam shprehur publikisht të gjithë konsideratat.
Prej 13 vitesh pengohet të hetohet dhe përdoret për propagandë. A po, nëse nuk është plotësisht e hetuar. Sepse nuk u hetuan organizatorët. ishin disa, por kryesori Edi Rama, ai i nxori si mish për top.”
Por Berisha nuk surprizoi me shmangien. “21 Janari” është dosja më e rëndë që ai mban mbi supe. Dhe ky duket një dimër i acartë për doktorin, nuk dihet vetëm sa do të zgjasë.

