Në studion e “ABC së Mëngjesit”, aktori i njohur Juli Nenshati rrëfeu emocionet e rikthimit në ekran pas tri dekadash me filmin shqiptaro-amerikan “The Spark”, një projekt që e solli sërish në qendër të vëmendjes. “Kur Erandi më propozoi idenë për të qenë pjesë e filmit, nuk mund t’i thosha jo,” – tregon Juli, i cili e nisi rrugën e artit që në moshë të re, i frymëzuar nga babai, regjisor i trupës amatore të Lezhës.
Pas studimeve në Akademinë e Arteve, ai u bë pjesë e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi në disa drama të suksesshme. Në kinematografi u bë i njohur me rolin e Fatmirit, të fejuarit të Erës, në filmin e dashur “Unë e dua Erën”, një nga interpretimet më të spikatura të karrierës së tij.
Më pas, jeta e çoi përtej kufijve. “U largova nga Shqipëria në një kohë kur shumëkush kërkonte një mundësi të re. Fillova nga e para në SHBA, ku provova çdo punë të mundshme: nga kamarier te bartender, derisa gjeta veten në një fushë që nuk e kisha menduar kurrë,” rrëfen ai.
Prej 25 vitesh, Juli është një lider i suksesshëm në tregun e pasurive të patundshme në Boston, duke e kthyer përvojën e jetës në forcë dhe frymëzim. “Në Amerikë është e vështirë të blesh një pronë, por edhe më e vështirë ta shesësh me sukses,” – thotë ai me humor. Përveç punës në real estate, Juli jep mësim dramë në një shkollë, duke ruajtur lidhjen me artin që e formoi.
“Filmi më mungonte, por nuk e kërkova me çdo kusht. Megjithatë, ofertave për kinema nuk u them kurrë jo,” – përfundon ai, duke e përshkruar “The Spark” si një rikthim emocional dhe simbolik pas 30 vitesh, një ndezje e re për pasionin e vjetër që nuk është shuar kurrë.

