Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit Arbjan Mazniku u ndal në zgjedhjet e pjesshme që po zhvillohen këtë të diel në pesë bashki të vendit, përfshirë dhe Cërrikun pasi kryebashkiku i saj Andis Salla mori postin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Mazniku tha se dita e zgjedhjeve është e qetë dhe procesi i votimit po vazhdon pa probleme. Ai shtoi se Cërriku ka pasur një zhvillim të dukshëm në vitet e fundit, teksa ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votime për të çuar më tej projektet dhe investimet, me në fokus integrimin në Bashkimin Europian.
“Kemi duke kaluar një ditë shumë të mirë për Cërrikun. Sot ka pasur një votimi i cili është shumë i kënaqshëm. Në raportimin e fundit thonë se janë më shumë se 6 mijë qytetarë që kanë shprehur vullnetin e tyre në të gjitha qendrat e votimit. Është një ditë e qetë për zgjedhjet vendore shqiptare.
I ftojmë të gjithë njerëzit që të dalin në numra dhe të shprehin vullnetin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm në Cërrik. Cërriku ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, por pa dyshim që ka përpara më të mirën me një sërë projektesh dhe investimesh që do të ndodhin dhe me një fokus të veçantë, pikërisht integrimin në Bashkimin Europian, i cili do të ndjehet në të gjithë vendin dhe veçanërisht në këtë zonë me shumë elemente”, tha Arbjan Mazniku./abcnews.al

