Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara e ka hequr presidentin sirian Ahmad al Sharaa nga lista e zezë e terroristëve globalë, pak para takimit të tij me Donald Trump të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Vizita historike e Al Sharaa në Uashington vjen thuajse një vit, pasi grupimi I tij Hajat Tahrir al Sham, rrëzoi regjimin e ish presidentit Bashar Al Assad për të marrë kontrollin e Damaskut dhe më pas të të gjithë vendit.
Al Sharaa, dikur i njohur me emrin Abu Mohamed al Xholani, ishte një nga figurat më të larta të grupit, I njohur për lidhejt e tij me al Kaedën.
Trump u takua me al-Sharaa për herë të parë në maj gjatë një samiti në Arabinë Saudite, ku ai njoftoi fundin e disa sanksioneve amerikane ndaj Sirisë të vendosura gjatë regjimit të Asadit.
Kongresi Amerikan ka thënë se po punon për të shfuqizuar sanksionet shtesë ndaj Sirisë që mbeten ende në fuqi. Komiteti I Senatit për Marrëdhënie me Jashtë ka thënë se është koha për ta sjellë ekonominë siriane në shekullin e 21.
Lëvizja e Shteteve të Bashkuara vjen pasi Mbretëria e Bashkuara hoqi gjithashtu sanksionet ndaj Al Sharaa dhe për ministrin sirian të Brendshëm, Anas Khattab.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte marrë të njëjtin vendim duke argumentuar mungesën e lidhjeve aktive midis Hayat Tahrir Al Sham dhe al-Kaedës.
Bashkimi Europian pritet të ndjekë të njëjtat masa, edhe pse kufizimet që lidhen me armët dhe sigurinë mbeten në fuqi.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se unioni mbetet i angazhuar për një tranzicion paqësor dhe gjithëperfshirës që garanton një të ardhme më të mirë për sirianët.
/ abcnews.al /

