Që në fillim u duk se çfarë brumi kishte.
Medon Berisha është sot ai që është, duke provuar edhe shiritin e kapitenit tek Leçe, e duke qenë një nga premtimet më të mëdha të Serisë A, madje ka edhe një ritëm shënimi të admirueshëm.
Duke qenë mesfushor, ai ka shënuar këtë sezon dy gola, dhe për këtë I janë dashur 8 ndeshje në fushë.
Kjo ndodhi kundër Udinezes e Fiorentinës, madje në këtë të fundit duke I siguruar fitoren ekipit të tij.
Me këtë ritëm, 22-vjeçari është më mirë sesa disa mesfushorë të tjerë si shoku I tij I ekipit, Ylber Ramadani, I cili nuk ka arritur kurrë dy gola në një sezon në Serinë A, jo më në 8 ndeshje.
Edhe Kristian Asllanit iu desh të priste, dhe e arriti vetëm edicionin e kaluar numrin 2 të rrjetave, që të dyja me penallti për Interin, kundër Veronës e Torinos.
Sidoqoftë, ylli titullar i kombëtares pati nevojë për 21 ndeshje, mbi dy herë e gjysmë më shumë sesa Berishës.
Ndër mesfushorët kuqezinj, vetëm Nedim Bajrami është treguar më I shpejtë.
Futbollisti me klas, por që këto kohë po kalon vështirësi në karrierë, shkëlqeu në 2021-2022 tek Empoli duke realizuar dy golat e parë në vetëm 6 sfida, e duke mbërritur numrin 6 të golave deri në fund të sezonit.
Medon Berisha është baraz me ish-sulmuesin e kapitenin e Shqipërisë, Igli Tare, që realizoi dy herë në 8 ndeshjet e para në Serinë A, kur u transferua tek Bresha që nga Gjermania.
Edhe Erion Bogdani, ndonëse sulmues dhe rekordmen I rrjetave në kombëtare, nuk ka pasur kaq sukses sa 22-vjeçari, pasi iu deshën 9 ndeshje për ta dërguar dy herë topin në rrjetë. / abcnews.al/

