Mbrojtja e konsumatorëve në Francë denoncoi kompaninë e modës Shein për shitjen e kukullave seksuale që ngjajnë me fëmijët. Ky lajm vjen pas njoftimit të Shein-it muajin e kaluar, se do të hapte dyqan fizik në qendër të Parisit.
Drejtoria e Përgjithshme e Konkurrencës, Çështjeve të Konsumatorëve dhe Kontrollit të Mashtrimeve (DGCCRF) referoi rastin te prokurorët publikë dhe ministri i Ekonomisë, Roland Lescure raportoi se do të kërkojë ndalimin e Shein-it nga tregu francez nëse ndodhin incidente të ngjashme.
“Kjo parashikohet nga ligji. Në raste që përfshijnë terrorizëm, trafik droge ose materiale pornografike me fëmijë, qeveria ka të drejtë të kërkojë që aksesi në tregun francez, t’i ndalohet.”
Ligji u jep autoriteteve franceze mundësinë për të urdhëruar platformat online që të heqin përmbajtje të paligjshme, siç është pornografia me fëmijë, brenda 24 orëve. Nëse nuk zbatojnë këtë urdhër, autoritetet mund të kërkojnë që ofruesit e shërbimit të internetit dhe motorët e kërkimit të bllokojnë aksesin e të heqin nga lista faqen e internetit.
Por, kukullat ishin larguar nga platformat e Sheinit. Po ashtu, reklama ishte hequr nga faqja e shitjeve kineze AliExpress.
“Nuk është vetëm Shein, ka edhe shumë të tjerë. Jemi njoftuar për raste të tjera, konfirmoi komisionerja e lartë për fëmijët në Francë, Sarah El Haïry, e cila njoftoi gjithashtu se qeveria kishte nisur hetime më të gjera për platformat e tjera.”
Shein nuk ka dhënë një koment. Në lidhje me këtë rast, autoritetet franceze theksuan edhe se Shein shet produkte të tjera pornografike, përfshirë kukulla seksuale që ngjajnë me të rritur, pa masa efektive për filtrimin e moshës që do të parandalonte “minoritete ose audienca të ndjeshme që të kenë akses në përmbajtje të tillë pornografike”.
Shein u themelua në Kinë në vitin 2012 dhe tani është me bazë në Singapor. Duke arritur tek klientët, ka patur rritje të shpejtë e është bërë lider global në modën e shpejtë, duke dërguar produkte në 150 shtete. Kompania ka hasur kritika për praktikat e saj të punës dhe ndikimin në mjedis.

