TIRANË- Në pritje të çeljes së grupkapitullit të fundit “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, ambasadori gjerman Karl Bergner, tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm politik por mbi të gjitha ekonomik me një impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.
“Rrugëtimi i vendit në BE po merr gjithnjë e më shumë shpejtësi, nuk është vetëm një rrugëtim politik, por edhe ekonomik, strukturor, por edhe transformim shoqëror që çel dyer të reja për fermerë e biznese. Do jetë udhëtim i vështirë, me fitues dhe njerëz që humbasin.
Le të shohim si transformimi drejt BE do sjellë avantazhe për shumicën e njerëzve. Integrimi në BE ka fuqi transformuese, mundësitë kanë vlerë vetëm kur jemi gati të përmbushim kërkesat që do të thotë harmonizimi i legjislacionit, mbështetja e fermerëve dhe agrobizneseve”, theksoi ambasadori gjerman.
Këto deklarata Bergnet i bëri në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se bashkëpunimi me Universitetin e BOKU-se ne Vjenë, ka rritur numrin e studentëve që kërkojnë të studiojnë në Universitetin e Bujqësorit me 20%.
“Një pararojë e transformimit, një pararojë e ambicies për Shqipërinë e të nesërmes, një pararojë e përgjegjshmërisë së lartë përpara brezit të atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona për tu bërë specialitet e së nesërmes dhe padyshim që këtu ka një meritë të veçantë jo vetëm lidershipi universitetit.
Do të çojë në ditën e bekuar të njehsimit të plotë të Universitetit Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës nga ku do të dalin diploma të njehsuara dhe që do ta bëjnë këtë universitet siç e kemi në vizionin tonë të përbashkët socialist dhe demokratik me Bardhin, një universitet rajonal me studentë jo vetëm nga vendi, por nga gjithë rajoni”, u shpreh ai.
Ndërsa nuk munguan as batutat me rektorin, Fatbardh Sallaku.
“Këtu ka meritë jo vetëm lidershipi i universiteti, s’do ma kishte ngrënë mendja se do të vinte dita që do të lavdëroja kaq shumë sa herë që bie rasti një demokrat, por kam kuptuar se kur demokratët nuk kanë flokë, e kam më të lehtë të gjej aleancë me ta”, tha ai./abcnews.al

