Personalitete të ndryshme të politikes kanë marrë pjesë deri në këto momente në homazhet për Fatos Nanon.
Nuk kanë munguar as perfaqësues të opozites si Fatmir Mediu apo Agron Duka.
Megjithate ai që ka munguar të paktën deri në këto momente është Sali Berisha. Mes personave të parë në homazhe mëngjesin e sotëm kanë qenë edhe ish truproja i Nanos, Viktor Agolli, por edhe ish-pjesëtarë të tjerë të grupit të shoqërimit si dhe qytetarë të shumtë.
Fatos Nano la gjurmë të thella në Shqipërinë post-komuniste, tranzicionit politik dhe demokracisë.
Por momenti që shënjoi karrierën dhe jetën e tij, do të ishte rrëzimi i regjimit. Nano ishte i përzgjedhuri i Ramiz Alisë si kryeministër. Një detyrë të cilën e mbajti vetëm 3 muaj.
Një detyrë e cila i hapi atij mundësinë e jetës, për të lënë gjurmë në histori. Më 12 qershor të 1991, Partia Komuniste vendosi të ndërrojë fytyrë dhe emër, e të quhej Partia Socialiste, me kryetar të ri, Fatos Nanon.
Por vizioni i Nanos ishte i qartë, ai vendosi të shkëpuste partinë nga trashëgimia ideologjike e diktaturës dhe ta orientonte drejt një modeli socialdemokrat perëndimor. Një hap i rrezikshëm dhe jopopullor në atë kohë. PS ishte nën hijen e të kaluarës, e akuzuar për përfaqësimin e ish-elitës komuniste. Por Nano vendosi të përballej me realitetin dhe të ndërtonte një identitet të ri politik, duke reformuar strukturat, duke përfshirë intelektualë të rinj dhe duke e bërë PS-në pjesë të Internacionales Socialiste.
Por si çdo moment lavdie, ka dhe periudhat e errëta. Nano nga karrigia e kryetarit të opozitës, përfundoi në burg në kohën kur në pushtet ishte qeverisja e Sali Berishës.
30 korrikun e vitit 1993, ai arrestohet për shpërdorim detyre si kryeministër për ndihmat humanitare, dhe dënohet me 12 vite burg.
Me pranga në duar, ai u dërgua fillimisht në burgun e Tiranës e më pas në atë të Bënçës në Tepelenë. Për 4 vite radhazi, dhe momentin e vetëm të lirisë e pati për varrimin e nënës së tij.
Por ai nuk u dorëzua. Nga qelia, ai drejtoi partinë përmes letrave, komunikimeve politike dhe strategjive opozitare. PS u godit ndjeshëm, me një kryetar në burg, por nuk u shpërbë.
Si një dhuratë në qiell të hapur, nga kundërshtari i tij politik, Sali Berisha, piramidat e 1997 dhe revoltat, liruan Fatos Nanon 13 marsin e 97 për tu rikthyer në mënyrë spektakolare tashmë si një lider i burgosur politikisht.
Ai fitoi zgjedhjet me një rezultat revansh, dhe u zgjodh kryeministër për herë të dytë. Sërish detyrën e mbajti shumë pak, 1 vit e 3 muaj.
Por pas lirimit, ai e fitoi betejën e tij personale me padrejtësinë, Gjykata e shpalli të pafajshëm dhe u dëmshpërblye për 4 vitet e burgut.
Me fitoren e PS në 2001 dhe rikthimin si kryeministër në 2002, Fatos Nano konsolidoi pozitat e tij në parti dhe në pushtet. Gjatë kësaj kohe, ai punoi për rikthimin e rendit, për stabilizimin e institucioneve dhe për afrimin e Shqipërisë me BE dhe NATO.
Në këto vite, Nano udhëhoqi qeverinë në një kontekst të vështirë, shpeshherë të polarizuar dhe të paqëndrueshëm. Por ai mbeti një nga figurat e pakta që e kuptonte se ndërtimi i shtetit modern nuk mund të bëhej pa kompromis, pa reformat e dhimbshme dhe pa dialog politik.
Gjatë kësaj periudhe, përpara furtunës së vitit 2005, ai u përball edhe me përçarjen e madhe të PS. Largimin e Ilir Metës, për të krijuar një parti të re të majtë, LSI.
Në zgjedhjet e 2005, Fatos Nano humb zgjedhjet përballë rivalit të tij historic, Sali Berishës, dhe detyrohet të japë dorëheqjen.

