Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke u bërë një nga shtetet më të fundit që i bashkohet listës së vendeve që e njohin shtetësinë e saj.
Lajmi është përshëndetur nga ministrja Elisa Spiropali, e cila në një reagim në rrjetin social “X” ka vlerësuar këtë hap si një arritje të rëndësishme në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Ajo ka theksuar se kjo njohje është rezultat i përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të Kosovës, si dhe i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, duke shprehur mirënjohje të veçantë për Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud.
“Urime Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetit nga ana e Republikës Arabe të Sirisë.
Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar, por edhe mbështetjes së miqve e partnerëve, të cilët e kanë ndihmuar procesin e saj të njohjes dhe shtetndërtimit.
Falënderime me këtë rast edhe për Lartësinë e tij Mbretërore, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje. Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Edhe njëherë, urime Kosovë!”, ka shkruar Spiropali.

