Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia ka testuar me sukses raketën e re, e cila, sipas tij, funksionon me një motor bërthamor. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime ndërkombëtare për pasojat e mundshme të përdorimit të teknologjisë bërthamore në raketa, përfshirë edhe rrezikun e lëshimit të mbeturinave radioaktive gjatë fluturimit.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, të ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, theksuan se testi përbën një mesazh të fortë politik nga Moska dhe një sinjal që Rusia kërkon të rishikojë ekuilibrat e fuqisë me Perëndimin.
Sipas tyre, raketa është më shumë një mjet presioni strategjik sesa një armë për përdorim praktik, duke e kthyer këtë zhvillim në pjesë të një lufte të re fjalësh dhe demonstrimesh force mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ledion Krisafi: Kjo është një raketë shumë e veçantë. Këto janë raketa që nuk janë përdorur kurrë ne terren. Pra e dimë teorinë se si sulmojnë, por nuk e di se janë në terren, Ideja e këtyre raketave janë që të mos përdoren kurrë. Kjo është një shenjë që Rusia duhet të merret seriozisht. Putin e ka fituar testin e tij. Nëse një raketë e tillë përdoret do të thotë që jemi afër fundit. Është një luftë fjalësh në këtë pikë mes të dyja palëve.
Juxhina Sotiri: Është një thirrje që Puti i bën SHBA-ve për të vendosur balancat në traktatin e armëve bërthamore. Ka një dallim mes asaj se çfaerë bën Rusia dhe vendet anëtare të NATO-s. Rusia e ka më të lehtë të ketë një arrogancë dhe ashpërsim ndaj Perëndimit, kurse aleanca përpiqet që të tregohet më e kujdesshme./abcnews.al

