Hamas është gati të dorëzojë armët, nëse pushtimi i Izraelit në Gaza merr fund.
Udhëheqësi politik i grupit palestinez, Khalil al Hayya, tha një një intervistë për rrjetin e lajmeve Al Jazeera, se armët e Hamasit janë të lidhura me ekzistencën e agresionit izraelit dhe nëse ai përfundon, atëherë armët do i dorëzohen shtetit.
Megjithatë ai shtoi se ky vendim është ende duke u diskutuar me fraksionet e tjera të armatosura dhe ndërmjetësit e armëpushimit në Gaza.
Al Hayya theksoi gjithashtu se grupi militant palestinez nuk ka rezerva për t’i dorëzuar përgjegjësitë administrative për Gazën te ndonjë organ kombëtar palestinez dhe shtoi se Hamas gjithashtu dëshiron zgjedhje në të gjithë Palestinën.
Grupi pranon gjithashtu forcat e Kombeve të Bashkuara si monitorues kufitare dhe monitorues të armëpushimit në Gaza.
Lideri i krahut politik të Hamas, i cili ishte në shënjestër të sulmeve izraelite në Doha, shprehu ndër të tjera shqetësimin për sasinë e ndihmave që hyn në Gaza. Al Hayya tha se popullsia e enklavës nuk ka nevojë për 600, por për 6 mijë kamionë në ditë për të përmbushur nevojat e saj.
Ai u bëri thirrje ndërmjetësve që të ndërhyjnë, në mënyrë që Izraeli mos të vonojë dhe mos të kufizojë sasinë e ndihmave për Gazën.
Deklaratat e fundit vijnë pasi armëpushimi i brishtë mes Hamasit dhe Izraelit është vënë disa herë në pikëpyetje.
Presidenti amerikan Donald Trump theksoi se Hamas duhet të rikthejë sa më shpejt trupat e pengjeve të vdekura, ose vendet e përfshira në marrëveshjen e paqes do të ndërmarrin veprime.
Ai pranoi se është e vështirë gjetja e disa trupave për shkak të shkatërrrimit në Gaza, por të tjerët mund të rikthehen që tani.
Presidenti amerikan shtoi se do të shohë çfarë nodh në 48 orët e ardhshme dhe përsëriti se që të dyja palët të trajtohen në mënyrë të drejtë, duhet të përmbushin detyrimet e tyre. / abcnews.al /


