TIRANË- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i ftuar në emisionin “ Real Story” u shpreh se është nevojë urgjente, që të depolitizohet administrata zgjedhore.
Sipas tij, edhe partitë kryesore e kanë kuptuar se administrimi i procesit zgjedhor me administratë politike nuk është i duhuri.
“Edhe PD që në 2020, në kuadër të marrëveshjes politike, e kishin vendosur që të fillonte procesi i departizimit të administratës zgjedhore. Së fundmi të gjithë e kanë pranuar që ka ardhur momenti që kjo mënyrë organizmi dhe funksionimi të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta tërësisht me përbërje partiake nuk mund të funksionojë.
Mazhoranca ka si ide, të paktën nga ajo që është artikuluar nga drejtuesit e mazhorancës, mendon se do ishte zgjedhja më e mirë që të ishin nëpunës të shërbimit civil, gjë që në mendimin tim nuk mendoj se do funksionojë. Nuk jemi në stadin që partitë politike dhe veçanërisht opozita të jetë e përjashtuar tërësisht nga administrimi i procesit zgjedhor”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, Celibashi dha një shembull se si duhet të përbëhen komisionet e dyta dhe të treta të administrimit të procesit zgjedhor në Shqipëri.
“E gjithë struktura e administratës në nivelin e dytë dhe të tretë, të ketë një kompozim të tillë, ku shumica e anëtarësisë të jetë e përzgjedhur nga KQZ nga avokatë, mësues, juristë, që s’janë të angazhuar me administratën publike, nga shoqëria civile“, tha ai./abcnews.al

