TIRANË- Ish-anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Alesia Balliu komentoi deklaratën e Besart Xhaferrit, i cili ia bëri të qartë Sali Berishës se ka kohë deri në muajin prill për të faktuar farsën e pretenduar të 11 majit dhe të ripërsërisë e zgjedhjet, në të kundërt, ai personalisht duhet të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike. Ajo theksoi se deklarata e Xhaferrit ishte deklaratë korrekte dhe e duhura, e cila është mbështetur nga demokratët.
“Deklaratë korrekte e drejtë nga Besart Xhaferri, sepse sipas statutit, kryetari që humbet zgjedhjet duhet të largohet. Ai ka të drejtë të deklarojë atë, që nëse nuk faktohet farsa elektorale, kryetari duhet të largohet. Nuk ka patur për qëllim të marrë lidershipin e PD”, tha ajo.
Sipas saj, deklarata e Xhaferrit nuk është pritur mirë nga Berisha dhe familja e tij pasi e ka kthyer PD në pronë personale. Ajo theksoi se demokratët e duhet të bashkohen për të larguar Sali Berishën, i cili për Balliun është shkaktari kryesor i humbjes së zgjedhjeve.
Sipas Balliut, PD duhet të hapet pasi në të kundër rrezikon të ketë fatin e Partisë së Lirisë, e cila është tkurrur në elektorat.
“Nuk është pritur mirë jo vetëm nga Berisha, dhe familjarët, të cilët e shohin PD si pronë. Kjo deklaratë u pa me shpresë për demokratët. Nuk mendoj se ka interes personal për tu bërë kryetar i PD, por ai mund të kërkojë ndryshimin e lidershipit. Zërat si Besart Xhaferri duhet inkurajuar, ai është sulmuar për këtë deklaratë në mënyrë staliniste. Ka qenë momenti i duhur për t’u shprehur, sepse janë pak muaj nga prilli. Garë do ketë kur Sali Berisha nuk do jetë në garë. Me Berishën në garë, në PD nuk ka zgjedhje. Duhet të bëhemi bashkë për të larguar personin që është përgjegjës i humbjes në 2013 dhe në 2025, Sali Berishën.”, tha ajo./abcnews.al

