Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kostandin Arianiti, shqiptari që u bë princ në zemër të Evropës

schedule11:43 - 17 Tetor, 2025

schedule 11:43 - 17 Tetor, 2025

Në historinë tonë shpeshherë harrojmë emrat që kanë shkëlqyer përtej maleve të Shqipërisë. Një prej këtyre figurave të harruara, por të jashtëzakonshme, është Kostandin Arianiti, shqiptari që mbajti tituj princërorë në Evropë dhe luftoi për çlirimin e vendit të tij nga pushtimi osman.

Kostandini lindi në vitin 1456, në një prej familjeve më të njohura shqiptare të kohës. Ai ishte biri i Gjergj Arianitit, zotëruesi i Epirit dhe një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës kundër osmanëve.

Familja Arianiti nuk ishte thjesht fisnike, ajo ishte e lidhur ngushtë me ngjarjet më të rëndësishme të epokës. Njëra nga motrat e Kostandinit ishte bashkëshortja e vetë Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndërsa motra tjetër, Angjelina, do të hynte në histori si Shën Angjelina, duke lënë gjurmë në jetën fetare dhe shpirtërore të Ballkanit.

Që në moshën 20-vjeçare, Kostandini ia kushtoi jetën karrierës ushtarake. Në shekujt XV dhe XVI, ai u bë një emër i njohur në Itali, ku fitoi respektin dhe besimin e disa prej figurave më të rëndësishme të kohës. Ishte mik i ngushtë i Mbretit Karli VIII i Francës dhe ambasador personal i Papës, një nder i rrallë për një shqiptar të asaj kohe.

Por Kostandini kurrë nuk harroi prej nga vinte. Ai u nis tri herë për të çliruar Shqipërinë nga osmanët. Me zemrën plot shpresë dhe me flamurin shqiptar në dorë, ai kërkoi t’u kthente lirinë trojeve të veta. Por të tria herët, planet e tij u shkatërruan nga tradhtia e aleatëve, veçanërisht nga venecianët, që zgjodhën interesat mbi drejtësinë.

Megjithatë, lidhjet e tij me oborret mbretërore të Evropës nuk reshtën kurrë. Ishte gjithashtu në marrëdhënie të ngushta me perandorin austriak, Maksimiliani I, i cili e emëroi Kostandinin si mëkëmbësin e tij perandorak në gjithë Italinë. Në një dekret zyrtar, ai e shpalli atë me titujt: Princ i Maqedonisë, Princ i Epirit, Princ i Thesalisë dhe Dukë i Akajës, tituj që i dhanë jo vetëm nder, por edhe legjitimitet si një udhëheqës i vërtetë i trashëgimisë shqiptare në Evropë.

Në vitin 1508, Papa Leoni X i dhuroi atij qytetin e Fano-s, si shenjë mirënjohjeje për besnikërinë dhe përkushtimin e tij. Ai nuk ishte më thjesht një shqiptar në mërgim, por një princ i Evropës.
Kostandin Arianiti vdiq në moshën 74-vjeçare, në një kështjellë që i përkiste atij, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Ai kishte shtatë fëmijë, të cilët u lidhën me fisnikë të gjysmës së Evropës. Ai la pas prona të mëdha, kështjella e toka pa fund, por mbi të gjitha, la një emër që sot meriton të mos harrohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!