Flutura Kusari, juristja për të drejtën e medias ishte e ftuar në “Abc-ja e mëngjesit” me Enkel Demin për të folur për paketën anti-shpifje, që pritet të votohet sot në Kuvend.
Kusari u shpreh se ende nuk kemi një justifikim pse e kemi këtë projektligj, ndërsa shtoi se më shumë na duhet një ligj për të mbrojtur gazetarët nga shpifja se politikanët.
“Nuk kemi justifikm pse e kemi këtë projektligj. Kryeministri Rama por jo vetëm në Ballkan janë shumë të ndjeshëm ndaj kritikës. Fushata denigruese kundër gazetarëve të organizuar nga qeveria e Shqipërisë detyruan fushata e huaja të vinë në Shqipëri për të parë se çfarë po ndodh këtu.
Më shumë na duhet një ligj për të mbrojtur gazetarët nga shpifja se politikanët. Se për politikanët ka një bazë ligjore që mund të bëjnë padi. Ka pasur raste që politikanët kanë paditur dhe kanë marrë dëmshpërblim.”, tha ajo.
Më tej Kusari shtoi se drafti është publikuar dje pasdite dhe se ky nxitim është i tepruar.
“Drafti është publikuar dje pasdite. Ky nxitim është i tepruar. Duhet të jepet kohë që të lexohet. 7 organizta ndërkombëtare kanë shkruar dhe u kanë kërkuar deputetëve të mos e kalojnë këtë ligj. Politikanët e tjerë në Ballkan fërkojnë duart dhe do kopjojnë këtë ligj. Shqipëria do të krijojë problem të jashtëzakonshëm për shumë vende. Dhe pastaj të mos pyesin pse nuk hapen negociatat me BE. U bën thirrje deputetëve të reflektojnë”, përfundoi Kusari, ndërsa pyeti Enkel Demin nëse do të marrë sot pjesë në protestën e organizuar nga gazetarët.
Gazetari aprovoi pjesëmarrjen e tij, duke thënë se sot për herë të parë po del në rrugë pas shumë vitesh. “Po patjetër, sot po dal në rrugë, kam dalë në ’90, do dal prap sot. Në këtë moshë është e tmerrshme”, tha ai./abcnews.al

