Ditët e grumbullimit dhe përgatitjeve për ndeshjen kundër Shqipërisë nuk kanë qenë të qeta për Dragan Stojkoviç. Trajneri i kombëtares serbe iu është dashur të bëjë llogaritë me mungesat, por edhe presionin ekstra futbollistik. Por të gjitha këto nuk e kanë ndryshuar mendimin e teknikut, që në konferencën zyrtare përpara ndeshjes, ka të njëjta pritshmëri si në ditën e parë e të grumbullimit, sa I përket atmosferës dhe objektivit.
“Në Leskovac të justifikojmë mbështetjen e tifozëve. E rëndësishme që edhe tifozët të mbështesin skuadrën drejt fitores. Jo vetëm publiku e pret, por edhe unë dua pikët maksimale nga ndeshjet me Shqipërinë dhe Andorrën. Do të bëjmë çmos që ta bëjmë Shqipërinë të vuajë dhe të shkojmë në finalet e Botërorit 2026. Na pret një ndeshje e vështirë, përballë një kundërshtari të fortë. E dimë rëndësinë e kësaj sfide. Lojtarët janë të qetë, të përqëndruar për të dhënë maksimumin dhe për ta bërë vendin të lumtur me një fitore”.
Përveçëse ka stërvitur skuadrën e tij, Stojkoviç duket se ka studiuar mirë edhe kombëtaren e Shqipërisë.
“Ata nuk mund të na surprizojnë për sa i përket formacionit. I dimë dy ndryshimet që do të kenë, por nuk besoj se do të ndryshojnë diçka në këtë aspekt. Do të ketë rotacion për shkak të lëndimeve, por nuk do të ndryshojnë asgjë në sistem. Do të luajnë me katër në vijën e mbrojtjes, kjo është e sigurt. Futbolli është një lojë dhe nuk mund ta hamendësosh se çfarë mund të ndodhë. Zoti na ruajt nga një karton i kuq, pastaj gjithçka shembet. Do të bëjmë gjithçka për ta paraqitur Serbinë si duhet”
Në sfidën e së shtunës në Leskovac, Stojkoviç nuk mund të mbështetet te shumë lojtarë të rëndësishëm. Milenkoviç dhe Lukiç janë të pezulluar me kartonë, ndërsa Nedejlkovic, Katai dhe portieri Vanja Milinkoviç-Saviç janë të dëmtuar. I detyruar nga këto dëmtime, tekniku serb ka ftuar në kombëtare lojtarë të rinj, përfshirë tre debutues./abcnews.al

