TIRANË– Në prag të sfidës tepër të rëndësishme ndaj Serbisë, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka folur për gjendjen e skuadrës, mungesat dhe mënyrën sesi stafi teknik përgatitet për situata të papritura, që mund të shfaqen para ndeshjes.
Në një intervistë për emisionin “Real Story”, trajneri brazilian u ndal fillimisht te dëmtimi i Marash Kumbullës, ndërkohë që vlerësoi edhe dy mbrojtësit e djathtë, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu, për eksperiencën dhe gatishmërinë e tyre.
Edhe pse pranon se aktivizimi i shpeshtë në klub është i rëndësishëm për formën e lojtarëve, trajneri thekson se në këtë moment nuk e sheh si një problem urgjent, por më shumë si një çështje për të ardhmen.
Duke folur për përgatitjet në rast dëmtimesh apo mungesash të papritura, Sylvinho tregoi seriozitetin me të cilin stafi teknik e trajton çdo situatë.
“E drejtë. Në fillim u dëmtua Marashi. Kemi komunikuar me stafin mjekësor. Janë gjëra që ndodhin. Hysaj dhe Balliu janë dy lojtarë të krahut të djathtë që kanë kohë në kombëtare, sidomos Hysaj që është njëri nga kapitenët. Të dy kanë një karrierë të rëndësishme. Janë dy lojtarë me shumë përvojë në Serinë A, njëri në Itali, tjetri në Spanjë. Dy lojtarë me nivel të rëndësishëm, mjaft të mirë, dhe që japin shumë për ekipin.
Është avantazh për ne që të dy janë të gatshëm, dhe që mund të menaxhohen shumë mirë. Vijnë tek ne dhe u mjafton pak stërvitje, pak përqendrim për të kuptuar atë që kërkojmë ne, dhe pastaj e kanë shumë të lehtë të dalin në fushë. Ata janë të pjekur, nuk janë të rinj që kanë nevojë për t’u përshtatur. Natyrisht, unë do të doja që ata të luanin më shumë. Sa më shumë luajnë, aq më mirë është, por nuk mendoj se është një problem sot për sot.
Nëse flasim për të ardhmen, dakord, është një problem. Në një kombëtare mund të presësh gjithçka, mund të ndodhë që një ditë para ndeshjes të vijnë tre-katër mesazhe që filan lojtar është I dëmtuar, dikush është sëmurë.
Unë kam në krah një staf që punon gjithë kohën për planin B, C, D. Kemi dy apo tre lojtarë që I kemi nën vëzhgim. Pak ditë më parë përpilova një listë pritjeje me 40 lojtarë apo më shumë që t’i kemi parasysh për çdo rast. Shpresojmë gjithmonë të mos kemi probleme, por ne bëjmë një monitorim të thellë të lojtarëve”, tha ai.
Shqipëria do të përballet me Serbinë në një nga ndeshjet më delikate të kualifikueseve/ abcnews.al

