Avokati Arbër Hoxha thotë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, është një kambanë alarmi për drejtësinë.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Hoxha u shpreh se duhet të rritet siguria në gjykata.
“Është vrarë drejtësia shqiptare, kjo është kambanë alarmi për sistemin e drejtësisë. Gjykatat shqiptare, nuk plotësojnë minimumin e kritereve të sigurisë. Këto janë disa kambana alarmi. Në këto kushte, arta që hartuan reformën në drejtësi, që mbyllën 5 gjykata, duhet të kishin marrë masa për sistemimin e gjykatave. Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Ministrave duhet të marrin masat përkatëse. Të presësh drejtësi me dekada të tëra, nuk është drejtësi. Dosjet që enden në gjykatë, janë fatet e qytetarëve. Duhet të gjykohen në kohë reale. Nuk besoj se prezenca e zotit Berisha do ndryshonte ndonjë gjë në sistemine drejtësisë.”, theksoi ai.
Lidhur me garën për kreun e SPAK, Hoxha deklaroi se pjesa më e madhe e kandidaturave, i plotësojnë kriteret.
“Unë besoj se të gjithë kandidaturat e propozuara, pjesa dërrmuese e tyre plotësojnë të gjitha standardet. Do ishte interesante nëse SPAK do drejtohej nga një grua. Të gjitha kandidaturat janë mëse të përshtahshme. Zoti Dumani ka bërë një punë të lavdërueshme. Çdo pasues i tij duhet të mbajë këtë standard. Kushdo që të vijë, e ka të vështirë, por jo të pamundur mbajtjen e standardit që vuri zoti Dumani.”, nënvizoi avokati Hoxha./abcnews.al

