Policia në Gjeorgji ka arrestuar pesë persona pas përplasjeve të dhunshme me protestues antiqeveritarë që tentuan të hyjnë me forcë në kompleksin presidencial në kryeqytetin Tbilisi.
Forcat e sigurisë përdorën topa uji dhe sprej piperi për të shpërndarë turmat e protestuesve. Sipas autoriteteve, 21 efektivë policie dhe gjashtë protestues janë dërguar në spital me lëndime.
Protesta u zhvillua në të njëjtën ditë me zgjedhjet vendore, të cilat u bojkotuan gjerësisht nga opozita, pas goditjes së ashpër të ndërmarrë nga qeveria ndaj kundërshtarëve politikë. Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, pretendon se ka fituar në çdo bashki me mbi 80% të votave.
Mes të arrestuarve ishte edhe këngëtari i njohur i operës dhe një prej organizatorëve të protestës, Paata Burchuladze. Më herët gjatë ditës, ai lexoi një deklaratë publike duke u bërë thirrje punonjësve të Ministrisë së Brendshme që të respektojnë vullnetin e popullit dhe të arrestojnë menjëherë gjashtë figura të larta të partisë në pushtet.
Protesta u zhvillua në një klimë të tensionuar politike që ka përfshirë Gjeorgjinë që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, të cilat opozita pro-BE i cilëson si të manipuluara. Që prej asaj kohe, qeveria ka pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke nxitur pakënaqësi të thella në radhët e qytetarëve.
Të shtunën, dhjetëra mijëra qytetarë marshuan në rrugët kryesore të Tbilisit duke valëvitur flamuj gjeorgjianë dhe të BE-së. Protestuesit më pas u drejtuan drejt kompleksit presidencial në rrugën Atoneli, ku disa prej tyre tentuan të hyjnë në ambientet e brendshme, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave speciale.
Sipas dëshmive nga terreni, situata u përshkallëzua me shpejtësi. “Papritur pamë gazin lotsjellës pas nesh. Njerëzit filluan të iknin me vrap, gjithçka u bë kaotike dhe policia filloi të arrestonte protestuesit,” tha Irakli, 24 vjeç, një nga pjesëmarrësit në protestë.
Ia, një vajzë 21-vjeçare, mori pjesë në tubim e veshur me të zeza, helmetë dhe maskë kundër gazit, për të shmangur identifikimin nga kamerat inteligjente të vendosura përgjatë bulevardit Rustaveli – pika kryesore e protestave të vazhdueshme. “Nëse vishemi me ngjyra, na identifikojnë dhe përfundojmë në burg,” u shpreh ajo.
Shumë protestues janë gjobitur me shuma të konsiderueshme prej 5,000 lari gjeorgjianë (rreth 1,835 dollarë) për “bllokim të paligjshëm të rrugëve”, sipas autoriteteve.
Ia dhe shumë të tjerë i referohen partisë në pushtet si “Ëndrra Ruse”, duke nënvizuar bindjen e tyre se qeveria po vepron në interes të Moskës, jo të Brukselit. Ndërsa në zonat rurale partia qeverisëse gëzon ende mbështetje për mesazhin e saj mbi ruajtjen e paqes, në qytetet e mëdha si Tbilisi perceptimi është i ndryshëm.
Protestat e përnatshme në Tbilisi kanë nisur që nga nëntori i kaluar, kur qeveria shpalli ndërprerjen e dialogut për anëtarësim në BE. Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë lirimi i të burgosurve politikë dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./abcnews.al

