Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 60- vjetorit të themelimit të Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Presidenti i Republikës vlerësoi përkushtimin e efektivëve ushtarakë, personelit civil dhe vizionin e drejtuesve të cilët e kanë shndërruar sot këtë batalion në njësi elitë dhe të modernizuar të strukturave mbështetëse të Forcave të Armatosura.
Duke iu referuar këtij rrugëtimi me sfida dhe sakrifica, Presidenti i Republikës theksoi gjatë fjalës së tij se kjo njësi kurrë nuk është ndalur në përmbushjen e misionit të saj. “Brezi i sotëm, – theksoi Presidenti Begaj, – trashëgon jo vetëm uniformën, por edhe nderin e atyre që shërbyen para jush, duke e mbajtur të gjallë frymën e përkushtimit ndaj atdheut.
Kjo njësi si të gjithë Forcat e Armatosura, theksoi Kreu i Shtetit, kanë hyrë në një epokë të re, më e motivuar në misionin e saj, më moderne në pajisje dhe aftësi dhe më e respektuar në shoqërinë shqiptare: “Sot, uniforma e ushtarakut shqiptar është simbol i disiplinës, i përkushtimit dhe i dinjitetit kombëtar”.
Duke iu referuar misioneve brenda dhe dhe jashtë vendit Presidenti Begaj vlerësoi se :“Përmes disiplinës, profesionalizmit dhe përkushtimit të efektivëve tanë në misionet e NATO-s, të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, roli i Shqipërisë është forcuar dhe është bërë i dukshëm në arenën ndërkombëtare”.
Në kontekstin e sfidave gjeopolitike dhe ato të sigurisë, Kreu i Shtetit, nënvizoi bashkëpunimin me Aleancën Veriatlantik dhe rolin e partnereve strategjike veçanërisht të SHBA-së për paqen e stabilitetin si edhe mbështetjen në modernizimit të Forcave të Armatosura.
Një mirënjohje të veçante në këtë ceremoni Presidenti i Republikës, përcolli ndaj Truprojave të Nderit dhe Orkestrës Frymore të cilat kanë përfaqësuar me dinjitet jo vetëm Forcat e Armatosura, por edhe shtetin shqiptar në ceremoni kombëtare e ndërkombëtare. “E them me bindje se efektivët e Truprojës së Nderit dhe Orkestrës Frymore e kanë nderuar uniformën e shenjtë me ngjyrat e flamurit”, deklaroi Presidenti i Republikës.
.

