Në Parkun Arkeologjik të Amantias, gërmimet e muajve të fundit kanë sjellë një zbulim të rëndësishëm arkeologjik. Për herë të parë është evidentuar muri rrethues i qytetit të poshtëm, një strukturë e panjohur më parë që daton në shekullin e 3-të para Krishtit. Ky element i ri ndihmon të kuptohet më qartë organizimi urbanistik i qytetit ilir dhe shënon një etapë të re në studimet mbi Amantian.
Zbulimi i murit rrethues dhe dëshmitë e reja mbi shkatërrimet e lashta, sipas ekspertëve, jo vetëm pasurojnë historinë e Amantias, por edhe tregojnë potencialin e madh arkeologjik që ky park ruan ende nën tokë. Punimet do të vijojnë, pasi mendohet se në zonë ka objekte të tjera të rëndësishme.
Prej kohësh, Amantia ka qenë në qendër të ndërhyrjeve restauruese dhe është shndërruar në një nga atraksionet më të vizituara të turizmit kulturor në vend. Zbulimet e reja pritet t’i japin një shtysë të re interesit historik dhe vizitorëve që zgjedhin të njihen nga afër me këtë pasuri të çmuar arkeologjike.


