Karlo Anceloti thoshte dikur se asnjë trajner nuk ka sukses nëse nuk ka yje në skuadër. E vërtetë, por deri diku sepse ndodh që një ekip “punëtorësh” mposht klasin e skuadrave të mëdha.
Kështu ndodhi në derbin e Madridit në kampionatin spanjoll, me triumfin e thellë, të merituar, dhe me përmbysje të Atletikos ndaj Realit.
Nga fusha e stadiumit “Uanda Metropolitano” dolën të humbur një Kilian Mbape, një Vinisius, një Belingham, Valverde, Rodrigo apo Kurtua.
Fitorja u takoi një ekipi që vërtet ka në stol trajnerin ndoshta më të paguar në botë, por që nuk ka as potencialin, as përvojën dhe as emrin e madh të Realit.
Lë Norman kaloi Atletin në epërsi në 14’, por “merengesit” përmbysën shpejt me golat nga Mbape e Arda Gyler, ku turku shërbeu francezin, dhe Vinisius dha topin për 20-vjeçarin nga Ankaraja.
Gjithsesi, asgjë nuk kishte përfunduar. Për kënaqësinë e mbi 69 000 tifozëve, norvegjezi Sorlot barazoi fare në fund të pjesës së parë, dhe pas pushimit erdhi triumfi historik.
Argjentinasi Hulian Alvarez, kampion I botës, shënoi dy gola radhazi në 51’ me goditje dënimi dhe 63’ me penallti, ndërsa veterani francez, Antuan Grizman vulosi shifrat 5-2 në fund të shtesës.
Kjo ishte një nga fitoret më të thella të Atletikos në derbi, dhe plotësisht e merituar me gati katërfishin e gjuajtjeve në kuadrat.
Zemra dhe karakteri dolën më të fortë se trajneri.
Reali pësoi humbjen e parë në La Liga pas gjashtë fitoreve radhazi, dhe nëse Barcelona merr tri pikët këtë të diel, barazohet me madrilenët në kuotën e 18 pikëve, dhe merr vendin e parë./abcnews.al

