Ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, ka folur në emisionin “Pressing” për kohën e tij tek ekipi kryeqytetas. Në fjalën e tij, Mema tha: “Para se të marrësh drejtimin e një skuadre, i shqyrton të gjitha gjërat. Kur merr këtë rol, merr përgjegjësitë e plota, nuk ka rrugë të dytë. Më bëri presidenti formacionin, apo më tha kështu e ashtu, këto mendoj se janë pakuptim.
Në momentin që mbaroi kampionati dhe u garantova që do të vazhdoj dhe sezonin që po luhet tani, u sigurova që të marr lojtarët që duhen. Dihet që në Shqipëri nuk mund të gjejmë gjithmonë lojtarë të mirë. Unë, drejtori, presidenti, kemi zgjedhur bashkërisht. Unë mund ta bëja dhe vetë, por mendova të ishim të tre. Mendoj se kemi bërë zgjedhje të mira, për aq mundësi sa kemi.
I është thënë Julit (Ahmatajt) se kush mban përgjegjësi për zgjedhjet që ka bërë Tirana. Isha në shtëpi, por po të kisha qenë në studio, do reagoja shumë keq. Kur vjen një trajner në mes, duhet të pranojë ekipin ashtu siç është. Unë bëra atë që bëra dhe i zgjodha ato lojtarë. Mbaj përgjegjësi nëse më lini deri në fund. Unë e lashë ekipin 3 pikë pas vendit të parë. Më lini deri në fund dhe më gjykoni. Kur unë largohem, marr me vete disa përgjegjësi.
Unë e lashë ekipin shumë më mirë seç e gjeta, kur e gjeta në vend të fundit. Kisha lënë një ekip me goxha vlera, sidomos në qarkullimin e topit, që ishte arma më e fortë. Përgjegjësitë i mbaj unë për lojtarët që ka Tirana, pasi unë e vë vulën kur vjen një lojtar e jo presidenti”./abcnews.al