Integrimi i të rinjve në tregun e punës dhe ulja e papunësisë janë përcaktuar si sfida kryesore në programin ekonomik drejt 2030. Një ndër objektivat kryesore mbetet ulja e papunësinë së përgjithshme në 6% deri në 2030 ndërsa papunësia tek të rinjtë nën 15%.
Për të arritur këtë janë parashikuar të ndërmerren një sërë masash siç është garancia rinore që ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi. Fokus i veçantë parashikohet të ketë edhe arsimi profesional.
Në program përcaktohet që 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional, shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.
Ndërkohë që gjatë këtij viti sektori i turizmit konfirmohet një motor i punësimit.
Sipas të dhënave të INSTAT në periudhën prill–qershor papunësia në vend ka pësuar një tjetër ulje duke regjistruar nivelin 8.5%.
Ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje nga tremujori i mëparshëm, ndërsa në raport me të njëjtin tremujor të një viti më parë ka mbetur i pandryshuar. Ndikim kryesor në rritjen e personave të punësuar në Shqipëri kanë dhënë sektori i shërbimeve që lidhet me turizmit por edhe industria.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, paga mesatare në vend arriti 83,906 lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./abcnews.al

