Mitet dhe bisedat pa ekspertizë kanë ndikuar që vaksinimi të shihet me dyshim nga një pjesë e prindërve për fëmijët e tyre, por edhe nga të rriturit që hezitojnë ta kryejnë. Vonesa ose refuzimi për të marrë vaksinat është kthyer në shqetësim, çka kërkon më shumë ndërgjegjësim dhe angazhim nga stafet mjekësore.
Kjo ishte edhe tema e një tryeze diskutimi të organizuar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, me mjekë dhe specialistë të fushës.
“Mos kryerja e vaksinës mund të ketë ardhur jo vetëm nga hezitimi i prindërve, por edhe nga neglizhenca e vetë stafeve mjekësore. Prandaj duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më afër qytetarëve. Duhet ti informojmë ata për efektet pozitive dhe afektet anësore, por gjithçka bazuar mbi shkencë dhe jo mbi hamendësine. Do të kalojmë në një fazë tjetër që eshtë edhe monitorimi ndaj qendrave shendetësore për të cilin është ngritur edhe një grup kontrolli”
Sipas mjekut infeksionist Martin Marku, vaksinimi mbetet mënyra më e mirë për të parandaluar infeksionet dhe është shumë më pak i kushtueshëm sesa trajtimi i tyre.
“Vaksinat kanë treguar që parandalojnë sëmundje të rënda dhe komplikacione. Ato janë shumë më efikase dhe të sigurta krahasuar me trajtimet që vijnë pasi sëmundja ka ndodhur”
Edhe shefja e epidemiologjisë, Evisa Deda, theksoi rëndësinë e informimit të qytetarëve, duke shtuar se përveç rolit të mjekëve, e njëjta rëndësi i duhet dhënë edhe sigurise dhe qetësisë së publikut.
Nga tryeza u kërkua më shumë punë sensibilizuese, në mënyrë që vaksinat të mos shihen si dyshim, por si mbrojtje e domosdoshme për shëndetin e fëmijëve dhe të të rriturve. / abcnews.al /


