E cilësuan skandal dhe protestuan ashpër.
Federata Serbe e Futbollit I dërgoi ankesë zyrtare FIFA-s dhe UEFA-s sepse një pjesë e tifozëve të kombëtares së tyre nuk u lejuan të hynin në stadiumin e Rigës për ndeshjen ndaj Letonisë.
Ata akuzuan rojet vendase të sigurisë dhe organizatorët se kjo u bë për të mos lejuar hyrjen në stadium të simboleve kombëtare serbe, si fanela, shalle apo flamuj.
Mediat në Beograd, si “Sportal”, botuan pamje filmike sesi disa tifozë me simbolet e tyre në duar nuk u lejuan që të hynin, dhe njëri prej tifozëve tha se letonezët nuk donin që ata të demonstronin se ishin serbë.
Këto portale dyshojnë se kjo sjellje në Letoni mund të jetë për shkak të lidhjeve që Beogradi ka me Rusinë, ndërsa vendi baltik është aleat I fortë I Ukrainës, dhe raportet me Moskën janë acaruar ndjeshëm.
Po ashtu, “Sportal”, publikoi video nga brenda stadiumit ku tregohej sesi rojet e sigurisë morën flamurin e Serbisë nga duart e një tifozë dhe pastaj u larguan.
Sipas mediave, përkrahësit u gjendën përballë të njëjtës situatë edhe në ndeshjen e Kampionatit Europian të basketbollit për meshkuj, që ekipi serb luajti në Rigë ndaj Letonisë.
Gjithsesi, disa tifozë arritën të hynin apo u lejuan të qendronin, pasi nuk patën simbolet serbe, dhe në fund festuan fitoren duke brohoritur bashkë me lojtarin e tyre, Kosta Nedeljkoviç.
Serbia triumfoi minimalisht në Rigë 1-0, me golin e shënuar nga Dushan Vlahoviç, dhe tani është favorite e qartë për vendin e dytë në grup, pra të paktën për të shkuar në plej of, në një grup ku është edhe Shqipëria, si dhe Anglia. / abcnews.al /


