Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, në një intervistë për emisionin “Balkan Update” në ABC News, ka vënë theksin te rritja e ndikimit të Aleancës Lindore dhe roli i Kinës në Ballkan.
Sipas tij, parada ushtarake e mbajtur së fundmi në Pekin ka qenë një sinjal i qartë i fuqisë që po ndërton kjo aleancë, ndërsa Perëndimi po shfaq mungesë uniteti përballë kësaj qasjeje. Arifi paralajmëron se Serbia po bëhet një pikë nevralgjike në rajon, e cila mund të shfrytëzohet nga Kina, ndërkohë që Bashkimi Evropian duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa vonesë për të shmangur pasoja më të thella në Ballkan.
“Parada ushtarake në Pekin dëshmoi forcën e Aleancës Lindore. Nga ana tjetër bota Perëndimore është ndarë në dy pjesë, dhe Perëndimi nuk është i unifikuar, qoftë me vendet demokratike, qoftë me ato të tjerat. E gjitha lufta është ekonomia. Ndikimi kinez është shumë i madh ën Ballkan, për shkak të zhvillimit teknologjik, por Perëndimi e ka lejuar gjithmonë Serbinë që të lundrojë në këto ujëra. Serbia po kthehet në një problem shumë të mëdha, sepse Kina do e shfrytëzojë Serbinë. BE nëse do të bëjë diçka duhet ta bëjë shumë shpejt. Perëndimi për shkak të interesave të veta në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, e ka toleruar Serbinë, por nganjëherë këto lëshime të vogla mund të sjellin probleme të mëdha në Ballkan”, tha Dritëro Arifi./abcnews.al

