Real Madrid i shton fitoren e tretë radhazi nisjes perfekte të sezonit në La Liga. Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso mundi 2-1 Majorkën e Vedat Muriqit dhe Marash Kumbullës.
Gjithsesi skuadra e dy futbollistëve shqiptarë flirtoi me suksesin në “Santiago Bernabeu”, duke kaluar e para në avantazh. Pas golit të anuluar të Mbape, ishte Muriqi që ndryshoi rezultatin me golin e epërsisë për miqtë në minutën e 18-të.
Por realizimi i sulmuesit të Kosovës u bë I pavlefshëm që në pjesën e parë.
Në vetëm dy minuta lojë, në fillim Arda Guler dhe më pas Vinicius Junior gjetën rrugën e rrjetës duke përmbysur shifrat që në pjesën e parë.
Madrilenët provuan të vrisnin garën, por duhet t’I bënin llogaritë me sistemin VAR. Nuk ishte mbrëmja e Kilian Mbape, pasi sulmuesit iu anulua një tjetër gol përpara pushimit të ndeshjes.
Të njëjtin fat kishte edhe Arda Guler në nisje të pjesës së dytë.
Gjithsesi, kjo nuk e prishi festën e Real Madrid, që me pikë të plota pas tre ndeshjeve të para, kryeson renditjen në La Liga.

