VLORË- Më 30 gusht 2025, duke filluar nga ora 12:00, jashtë gjirit të Vlorës priten kushte të përkeqësuara hidrometeorologjike me erë 15 m/s dhe dallgë me lartësi 1.0 – 1.5 metra.
Autoritetet detare njoftojnë se do ndalohen nisjet e mjeteve të vogla lundruese dhe të peshkimit drejt detit të hapur. duke nisur nga ora 10:00 e paradites.
Anijet e transportit ndërkombëtar do të operojnë normalisht. Përmirësimi i motit pritet pas orës 08:00 të datës 31 gusht 2025.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për kushtet hidrometeorologjike detare datë 30.08.2025
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 30.08.2025 duke filluar nga ora 12:00 datë 30.08.2025, kushtet hidrometeorologjike do të jenë në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri 5-6bft me shpejtësi ere deri 10-15m/s dhe lartësi dallge nga 1.00 deri 1.50 metra, kërkojmë :
1.Është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë jashtë gjirit të Vlorës në det të hapur duke filluar nga ora 10:00 datë 30.08.2025.
2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe Himarës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3.Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
4.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
5.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 31.08.2025.


