Dy persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Fier dhe Gramsh me akuzën e zjarrvënies së qëllimshme.
Policia e Fierit thotë se ka vënë në pranga një 51-vjeçar pasi ndezi zjarr qëllimisht në afërsi të shinave të trenit në lagjen 16 prilli.
Si pasojë e zjarrit të qëllimshëm, u dogjën 600 metra katrorë lëndë drusore në linjën hekurudhore.
Nga hetimet paraprake, rezulton se 51-vjeçari ka ndezur zjarr në afërsi të shinave të trenit, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet.
Gjykata e Elbasanit la në burg një 26-vjeçar të vënë në pranga një ditë më parë. I riu akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme në bashkëpunim me babain e tij.
Sipas hetimeve, 26-vjeçari ka ndezur zjarr në një pjesë të pyllit në fshatin Bresnik I Poshtëm të Gramshit, me qëllim që të shtrinte tubin e ujit për të vaditur ullinjtë.
Ai ka deklaruar se ka qenë bashkë me të atin kur kanë ndezur zjarrin dhe se flakët i ka mbajtur nën kontroll. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale ‘Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor’.
Ndërkohë, edhe në Tiranë, një 63-vjeçar është vënë nën hetim pasi nga pakujdesia ka djegur një sipërfaqe me shkurre në fshatin Pezë Helmas. / abcnews.al /



