Xherdan Shaqiri kthehet të shënojë në futbollin europian, duke ndihmuar Basel në barazimin 1-1 kundër Copenhagen në sfidën e vajtjes për play off e Champions League.
Sulmuesi me origjinë shqiptare kaloi vendasit në epërsi në minutën e 14-të, duke goditur saktë nga pika e penalltisë. Por në shtesën e pjesës së parë, kampionët danezë barazuan shifrat me Gabriel Pereira.
Basel mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Axhetej, por arriti të ruajë rezultatin që mban të hapur kualifikimin për në ndeshjen e kthimit.
Biletën për në grupet e Champions e ka siguruar përpara kohe Bodo Glimt, me kampionët e Norvegjisë që mundën 5-0 Sturm Graz.
Gjithçka e lehtë për të zotët e shtëpisë, që vranë garën me tre gola që në pjesën e parë, ndërsa në të dytën vulosën kualifikimin e parakohshëm në finalet e turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.
Gjithçka e hapur mbetet pas dy sfidave të tjera të vajtjes në play off e Champions League. Nuk kishte fitues së sfidën e madhe mes Fenerbahce dhe Benfika, që u ndanë në barazim pa gola.
Skuadra e Mourinho nuk arriti të shfrytëzojë faktorin e fushë, megjithëse për më shumë se 20 minuta në pjesën e dytë luajti me një lojtar më shumë pas kartonit të kuq të Florentino.
Më zhgënjyes ishte barazimi tjetër pa gola i mbrëmjes, ku Celtic u ndal në shtëpinë e tij nga kampionët e Kazakistanit, Kairat Almaty.
Edhe për këtë çift, kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

