Ngjarja e ndodhur në fshatin Pirg në Korçë, ku pas një sherri mes dy të miturve, një 14-vjeçar humbi jetën pas sulmit me thikë. Sociologu Gëzim Tushi ngriti shqetësimin për situatën me adoleshentët, duke bërë thirrje për reagime të forta dhe ndërgjegjësim më të lartë.
Në një intervistë në “News Line” në ABC News ai tha se krimet nga të miturit janë në një situatë alarmante, duke bërë thirrje edhe për familjet, prindërit që të mos tregohen neglizhent por të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve.
“Familja duhet të përgjigjet dhe të merret me adoleshentët për të edukuar dhe formuar qytetarin. Por edhe shoqëria ka përgjegjësinë e saj, dhe institucionet. Por në shoqërinë tonë po krijohet kjo klima e njeriut të fortë. Kam përshtypjen që në të kaluarën nuk ka qenë në këto përmasa, pasi edhe reagimet kanë qenë më të ashpra. Limfa e krimit që rrjedh në shoqërinë tonë ka infektuar dhe adoleshentët”, tha ai.
Gjatë intervistës, tha se me adoleshentët e sotëm “mënyra e edukimit nëpërmjet disiplinës” nuk është ajo e duhura dhe se mënyra e sistemit të komunikimit në familje duhet të ndryshojë.
“Ne kërkojmë me metodat e prindërve tanë të edukojmë adoleshentët e sotëm. Kërkohet një revolucion i brendshëm. Prindërit sot kanë probleme shumë më të mëdha dhe në këtë mënyrë edhe koha e prindërimit ka nisur të reduktohet. Por duhet që empatia, lidhja me fëmijët duhet të jetë shumë i madh. Edhe shkolla ka problemet e saj, edhe raportet mësues nxënës kanë probleme, sepse sistemi i komunikimin mësimdhënës-nxënës nuk është siç duhet. Shkolla duhet sikur ka larë duart dhe nuk do të ja dijë për gjërat që ndodhin në shkollë, dhe ia vendos fajin familjes, familja thotë nuk kam kohë dhe në këtë pikëpamje adoleshentët mbeten viktimë”, tha ai.
Ndërsa nënvizoi se vëmendja duhet përqendruar te parandalimi.
“Nuk është fjala për t’i dënuar adoleshentët, por duhet të bëjmë parandalimin, kjo është kërkesa universale për t’u marrë me adoleshentët tanë. Familja është rrobaqepësia kryesore” që qep kostumin kryesor të fëmijës së ardhshëm, bashkë me të edhe shkolla”, tha ai.
/abcnews.al/

